Këto pufka më kujtojnë disa “qofte” me djathë, që i marr sa herë ndaloj te Taverna Attika në Elbasan, e cila shërben gatime të shijshme greke. Një herë, ime më provoi t’i gatuante, por përdori djathë kaçkavall tejet të kripur, tipik shqiptar, dhe pufkat me djathë shijonin gati-gati acide, do të guxoja të thoja.
Sidoqoftë, këto janë tjetër lloj pufke, që piqen, nuk skuqen. Pufkat me djathë parmixhan do t’ju dalin aq të lezetshme, sa mund të ngurroni t’i hani, por shija e tyre është edhe më e mirë se pamja fantastike që kanë. Pufkave mund t’u shtoni në përbërje edhe spec pluhur, erëza si rozmarinë, dhe sidomos copa proshute për më tepër larmi.
Janë fantastike për t’u ngrënë siç janë, megjithëse këshillohet të zhyten në salcë marinara. Mund t’i shërbeni si meze, sa për të hapur oreksin për pjatën kryesore.
Përbërësit (për 4 persona)
170 ml ujë
50 gr gjalpë
120 gr miell
kripë sipas dëshirës
120 gr djathë parmixhan i grirë
2 vezë
Përgatitja
1. Ngroheni ujin në një tenxhere me zjarr mesatar dhe hidhni brenda tij gjalpin. Përziejini derisa gjalpi të shkrijë. Hiqeni nga zjarri dhe shtojini miellin dhe kripën, përzier bashkë, duke e përzier vazhdimisht me lugë druri. Vendosini sërish në zjarr dhe vazhdoni përzierjen derisa të trashet mirë dhe të shkëputet nga anët dhe fundi i tenxheres. Nëse mezi punohet, shtoni edhe pak më tepër ujë.
2. Hiqeni brumin nga zjarri dhe shtoni djathin parmixhan, përziejini mirë dhe lërini të ftohen.
3. Shtoni dy vezët një nga një, duke përzier dhe duke i lënë kohë secilës që të tretet në përzierje. Rrihni gjithçka mirë me tel vezësh.
4. Në një tavë ku keni shtruar letër furre, vendosni me një lugë të thjeshtë ose lugë akulloresh topa nga përzierja.
5. Vendoseni tavën në furrë me 200 gradë, për 15-20 minuta. Pufkat do të fryhen gjatë pjekjes.
Shërbejini pufkat të ftohta dhe ju bëfshin mirë!
Show Comments (0)